
Shqipëria ka potenciale reale për të arritur objektivin e saj historik, mbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027.
Deklarata u bë nga Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, gjatë prezantimit të paketës së zgjerimit për vitin 2026 në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET).
MCN ka siguruar progres-raportin e plotë të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Dokumenti ofron një bilanc përgjithësisht pozitiv, por nënvizon se liria e medias dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë mbeten nyjat më kritike të procesit.
Komisionerja Kos vlerësoi progresin e bërë me kapitujt e parë të negociatave (Grupkapitulli i Temave Themelore), duke konfirmuar se vendi po ecën me hapa të sigurt, nëse ruan këtë dinamikë.
"Shqipëria mund të arrijë objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Ritmi i reformave ka ecur," tha Kos.
Eurokomisionerja vuri theksin te konsolidimi i demokracisë, mjedisi dhe funksionimi i institucioneve të pavarura.
Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 jep nota pozitive për transformimin digjital, energjinë, politikat ekonomike, si dhe për rezultatet në reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Megjithatë, dokumenti ngre dy kambana të forta alarmi:
Raporti thekson se një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është "urgjentisht e nevojshme", veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Liria e Medias dhe Gjyqësori-Këto dy shtylla mbeten sfidat kryesore ku Brukseli kërkon progres të prekshëm dhe mbrojtje nga ndikimet politike apo abuzive.
Pjesë nga progresraporti:
Komisioni vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit.
SPAK vlerësohet për pavarësinë e treguar dhe rezultatet pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Megjithatë, korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë.
Komisioni kërkon:
- Më shumë vendime gjyqësore të formës së prerë në çështjet e korrupsionit të profilit të lartë.
- Sekuestrim dhe konfiskim përfundimtar të pasurive që burojnë nga korrupsioni.
- Më shumë referime proaktive nga institucionet shtetërore drejt prokurorisë.
- Verifikim më efektiv të deklarimeve të pasurisë dhe konflikteve të interesit.
- Zbatim të masave parandaluese në sektorët me rrezik të lartë korrupsioni.
- Forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Në 127 faqe raport, KE thotë se objektivi për mbylljen e negociatave në 2027-ën është i arritshëm, por gjithsesi ngre disa problematika. KE thotë se sfidë reale për vendin tonë që duhet adresuar mbetet korrupsioni.
Protestat në Tiranë përmenden edhe në progres raportin për Shqipërinë, ku theksohet se ato u nxitën nga shqetësimet mjedisore lidhur me investimin e huaj në Zvërnec dhe u shndërruan në një lëvizje më të gjerë për transparencë, llogaridhënie, masa kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë.
Gjatë periudhës raportuese, Shqipëria hapi grupin e fundit të mbetur të negociatave, me standardet e përkohshme nën grupin 1 - bazat dhe mbylli përkohësisht katër kapituj. Shqipëria vazhdoi të zbatojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, dhe u zhvilluan takime të organeve të përbashkëta sipas marrëveshjes. Autoritetet shqiptare ruajtën angazhimin e tyre të vendosur ndaj qëllimit strategjik të integrimit në BE si përparësia kryesore e vendit, me qëllim mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027.
Ruajtja e momentit do të kërkojë zbatim të shpejtë të reformave me cilësi të lartë që lidhen me BE-në. Mobilizimi më i madh qytetar që nga tranzicioni demokratik i Shqipërisë ka ndodhur në Tiranë që nga maji 2026 me protesta të përditshme që filluan në kundërshtim me zhvillimin e planifikuar të një resorti turistik luksoz në zonën e mbrojtur të Pishë Poro - Nartë.
Duke u bazuar në lëvizjen qytetare, protesta të udhëhequra nga studentët u organizuan në tetor 2026, gjatë të cilave ndodhën incidente të dhunshme. Shqipëria është angazhuar në mënyrë aktive dhe ka filluar të zbatojë Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në të katër shtyllat. Sipas Programit të Reformës dhe Rritjes (RGF), një instrument i BE-së i bazuar në performancë që mbështet procesin e pranimit në BE, plani është në përputhje me axhendën e reformave të vendit, e cila u miratua në fund të vitit 2024. Deri në fund të kësaj periudhe, Shqipëria ka në dispozicion deri në 920 milionë euro në grante dhe kredi. Deri më tani, Komisioni arriti në përfundimin se Shqipëria ka përfunduar 33 nga 66 hapat e parapara deri në dhjetor 2025. Shqipëria gjithashtu bëri përparim të konsiderueshëm në shumicën e hapave të tjerë.
Raporti i Komisionit për sundimin e ligjit për vitin 20262 e mbuloi Shqipërinë për herë të tretë.
Komisioni Evropian miratoi sot Paketën vjetore të Zgjerimit, e cila vlerëson përparimin e bërë gjatë vitit të kaluar nga vendet partnere që synojnë anëtarësimin në BE dhe përcakton prioritetet e reformave për periudhën e ardhshme.
