
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të zhvillojnë sot një mbledhje të përbashkët në Pejë. Ky do të jetë takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive.
Mbledhja e parë e dy kabineteve u mbajt në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë u mbajt takimi i dytë.
Takimi i tretë është mbajtur në Prishtinë, kurse vitin e kaluar kabineti i Kosovës udhëtoi drejt Korçës, ku u zhvillua mbledhja e dy qeverive.
Në mbledhjen e parashikuar për sot, dy janë vendimet kryesore që pritet të merren: Heqja e roaming dhe unifikimi i doganave të dy vendeve.
Kosova dhe Shqipëria pritet të aprovojnë edhe kërkesën e Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës së shërbimit roming, në kuadër të telekomunikimit ndërmjet dy shteteve.
Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet në mes qytetarëve.



