Kur kanë mbetur edhe dita e sotme për fushatën zgjedhore në Kosovë, kanë arritur tashmë edhe fletëvotimet për zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat janë shtypur në Slloveni.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, konfirmon se ato do të shpërndahen nesër në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
“Mund t’ju konfirmoj se fletëvotimet kanë arritur në Kosovë. Të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndërsa të dielën në mëngjes për në 888 qendra të votimit të cilat kanë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotimet”.
Elezi ka thënë se votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime.
Bazuar në Listën Përfundimtare të Votuesve, votues me të drejtë vote për këto zgjedhje në Kosovë janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë. Rrjedhimisht i bie se janë shtypur 177 mijë e 662 fletëvotime më pak se numri i votuesve apo në përqindje 9,89 % më pak.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen ditën e diel, më 14 shkurt, kurse sot është afati i fundit që të mbërrijnë votat nga diaspora, po ashtu sot përfundon edhe fushata zgjedhore e subjekteve politike.



