
Enkelejd Alibeaj i është drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për mosregjistrimin për zgjedhjet e 14 majit.
Në kërkesën e tij, Alibeaj si përfaqësues i një prej dy grupimever të Partisë Demokratike, asaj të njohur zyrtarisht nga gjykata, kërkon që të shfuqizohet vendimi për mos regjistrimin në zgjedhje.
Më herët gjatë së shtunës, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa i drejtoi KQZ-së një kërkesë të re për regjistrim.
Në këtë njoftim, PD thotë se Lulzim Basha është dorëhequr dhe se dokumentacioni i paraqitur për t’u regjistruar në zgjedhje, është i plotë. Kësisoj Partia Demokratike kërkon të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit pa firmën e Bashës.
Kujtojmë që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vuri në dukje se në dokumentacionin e grupimit Alibaj ka një problem në formulim, si dhe mungon nënshkrimi i kryetarit të PD Basha.
Celibashi i la 48 orë kohë PD-së së Alibeajt që të plotësoj dokumentacionin e nevojshm për të bërë plotësimet, afat i cili përfundon ditën e sotme.
Deklaratë e grupit të Alibeaj: KQZ shërben si zyrë propagande
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka marrë përsipër një qokë politike për të penguar PD në zgjedhje dhe publikisht ka shpallur dy justifikime për këtë:
1. Autorizimi ka “gabime drejtshkrimore”, sepse formulimi nuk duhet të ishte “për regjistrimin në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2023, sipas datës së caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës”, por sipas tij duhet të ishte “për regjistrimin në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 14 maj 2023”.
Për këtë pretendim nuk referon asnjë gërmë në ndonjë ligj, thjesht i referohet estetikës së tij në shprehje. Shkurt, s’më pëlqen kështu, e dua kështu.
2. Deklarata e angazhimit solemn është një akt i patransferueshëm, apo i padelegueshëm tek të tretët, sepse është një akt individual i personit dhe akt ekskluziv i kryetarit të partisë, i cili mban përgjegjësi përpara ligjit për mospërmbushjen e asaj përgjegjësie.
Në fakt deklarata jo vetëm që nuk sjell përgjegjësi ligjore, por është një akt, ku Kryetari i Partisë (si personi që përfaqëson partinë në raport me të tretët) merr angazhim solemn në emër dhe për llogari të partisë, jo si individ apo person fizik. Deklarata ka karakterin e një mesazhi publik që Partia i drejton qytetarëve përmes KQZ, që strukturat dhe mbështetësit e saj të mos përfshihen në veprimtari të paligjshme të shitblerjes së votave apo të pranojnë fonde nga burime kriminale. Si deklarim formal, në emër të partisë, ai është jo vetëm i transferueshëm, por krejtsisht pa asnjë efekt për zgjedhjet. Si çdo akt tjetër ligji vërtetë thotë nënshkruhet nga Kryetari, sepse ky i fundit është me ligj përfaqësuesi i partisë në raport me të tretët, por kjo nuk i jep aktit kurësesi karakter individual.
Për Komisionerin janë të transferueshme aktet më të rëndësishëm për zgjedhjet (regjistrimi i partisë; paraqitja e kandidatëve; caktimi i administratorëve të zgjedhjeve); por jo mesazhi publik, krejt formal, i Partisë. Edhe në këtë rast ecën me logjikën që “kjo më pëlqen të bëhet kështu, ndërsa atë tjetrën e dua ashtu”.
Në këtë kuptim, rrëmuja e krijuar me dashje nga Komisioneri, bën që KQZ të shërbej më shumë si zyrë propagande, sesa si zyrë e administrimit të zgjedhjeve. Nuk ka cenim më të rëndë për zgjedhjet sesa shndërrimi i KQZ-së në zyrë propagande dhe perceptimesh politike.
Për më tepër, Komisioneri vendosi publikisht afat 48 orë, por në skadim të këtij afati doli po publikisht dhe pohoi që afati skadon në 12 të natës (60 orë). Në fakt, afati ka skaduar në orën 10 të mëngjesit, orë në të cilën Ilirjan Celibashi kishte detyrimin për të marrë vendimin përfundimtar. U fsheh, në pritje që vendimet e tij ti marrin të tjerët. Përgjegjësia ligjore kërkonte të mos fshihej pas KAS, duke mos ushtruar me dashje detyrën dhe duke u përpjekur ti qëndrojë besnik qokave politike që ka marrë përsipër.
Partia Demokratike e Shqipërisë njofton opinionin publik se sapo ka depozituar ankimin në KAS, kundër vendimit të paligjshëm personal të Komisionerit, duke bërë thirrje për një shqyrtim sa më të shpejtë dhe profesional, të pa ndikuar politikisht dhe në përputhje me ligjin.



