Gazetari Enes Memolla ka sjellë sot në emisionin “Rrëfimi juaj” në MCN TV historinë e trishtë të Razie Ibrahimit, nipi i të cilës, Ardit Hida, ndodhet në burg pas vrasjes së kryer për të mbrojtur nderin e të motrës.
Një vuajtje pa fund duket ajo e Razies, e cila rrëfen me lot në sy dramën e familjes së saj, duke u shprehur se Policia nuk i mori kurrë parasysh denoncimet e saj në lidhje me mbesën, që drogohej dhe abuzohej sistematikisht për afro dy vite.
5 nëntori i vitit 2021 ishte një ditë zie për gjyshen, kur nipi i saj hyri në burg pas përplasjes me dy vëllezërit Kovaçi, duke lënë njërin prej tyre të vrarë dhe tjetrin të plagosur.
Fill pas kësaj ngjarje mbesa u mor nga xhaxhai për të jetuar në Gramsh, dhe mandej do të nisej ilegalisht drejt Greqisë. Tanimë Razia jeton me një shpirt të vrarë, me nipin në burg dhe mbesën e larguar në Greqi.
Me lot në sy ajo thotë se ankesat e saj nuk u morën asnjëherë seriozisht nga institucionet përkatëse. Po ashtu ajo akuzon policinë se ka qenë bashkëpunëtore me abuzuesit e mbesës së saj.
Kërkuam ndihmë për gocën për ndihmë njeri nuk na dha. Kam dy vjet e gjysmë u thashë policëve që kam bërë denoncim. Nipi ishte njeri që s’ngatërrohej me njeri në lagje, ishte pa llafe. Kurrë s’ka qenë problematik edhe ne u habitëm si ndodhi. Kishte një vit e gjysmë, 2 vjet që abuzonin me vajzën. Nuk pamë policë që të pyeste si është puna. Ata ishin bashkëpunues me to. I jepnin drogë se ishte kalama. Policia ishte bashkëpunues me ato. Ne u ndjemë keq. Kam ikur në 2:00 të natës, në 3:00 të natës për ta kërkuar vajzën, asnjë lloj orientimi s’më kanë dhënë”.
Ibrahimi thotë se Arditi ka qenë i sëmurë gjatë qëndrimit në spital, por nuk e ka parë askush nga të afërmit e tij. Ajo thotë se ka trokitur në dyer te gjykatës, por nuk e fuste njeri brenda dhe e shpërfillnin duke kërkuar para.
E përlotur ajo shprehet se e ka marrë shumë malli për nipin dhe mbesën, të cilët thotë se i ka rritur duke hequr bukën nga goja.
Razie Ibrahimi thotë se ushqimin e siguron në kazanët e plehrave.
Që nga data 5 nuk e kam parë Arditin nuk e kam parë në sy! Ka qenë shumë sëmurë. Shoku i vet tha se Arditi është në gjendje të rëndë. Kush do t’i përgjigjet atij, ne s’kemi prokurorë dhe gjykatës! Ai (Arditi) ka sëmundje kronike te koka. Babë e nënë zëre se kanë vdekur për të. Nuk i kanë shkuar njëherë në spital. Arditi ka nevojë për ushqime, për dashuri nëne, të takoj prindin, të takoj gjyshen. Jo ta nxjerrin në gjyq dhe të mos lajmërojë gjykata! Me Arditin kemi folur në telefon, por që ta takoj, ta puth njëherë në faqe, jo! ”.
Ajo i bëri apel shtetit që ta ndihmojë, duke kërkuar që pasi t'i bëhet gjyqi nipit, ai të mos largohet nga Elbasani.



