Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar tha se Mali i Zi duhet të jetë i pari në radhë për t'u bashkuar me bllokun 27-vendesh. Escobar vizitoi të hënë Malin e Zi për t’i ofruar mbështetje në rrugën e integrimit.
"Nuk ka absolutisht asnjë dyshim në mendjen tonë... qëllimi strategjik i këtij vendi është të bëhet një anëtar i plotë i BE-së," tha Escobar pas bisedimeve me kryeministrin Milojko Spajiç.
Gjashtë kombe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja, Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë në faza të ndryshme të procesit të pranimit në BE pas një periudhe luftërash dhe krizash në vitet 1990.
Escobar tha se zgjerimi i BE-së është bërë realitet pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, gjë që i bëri zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së më të prirur në përpjekjen për të joshur vendet e rajonit që të qëndrojnë larg ndikimit të Kremlinit.
"Është shumë e rëndësishme tani," tha ai, "ne duhet të sigurohemi që Mali i Zi të mbetet kandidati i ardhshëm dhe anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian".



