Lulzim Basha në takimet me demokratët e Kukësit, Hasit e Tropojës, dhe të Njësisë 7 në Tiranë, e vuri theksin tek deformimi i vullnetit të qytetarëve me 25 qershor, përmes shitblerjes së votës, me paratë e krimit dhe drogës, dhe keqpërdorimit të makinerisë shtetërore. “25 qershori vërtetoi se lufta kundër krimit në politikë, lufta kundër drogës dhe beteja për zgjedhje të lira e të ndershme ishin kauza të drejta dhe më të rëndësishme për Shqipërinë sot. Kush i luftoi këto kauza? Kush u përball me këto kauza? Vetëm Partia Demokratike, vetëm demokratët. Në ditët, muajt kur skeptikët nuk guxonin të pranonin apo të shqiptonin, problemin e thellë të krimit në politikë me autorizim dhe bekim të Edi Ramës, demokratët u ngritën, dhe ne u përballëm me drogën kur askush nuk guxonte të fliste për të. Me drogën, si projekt politik të Edi Ramës dhe kriminelëve që solli në institucione, pikërisht për të mbuluar dështimin e tij me ekonominë dhe për të përgatitur atë që ekzekutoi me 25 qershor. Ndaj beteja kryesore që ne duhet të vazhdojmë sot pavarësisht se çfarë ndodh brenda shtëpisë tonë është beteja për demokracinë. Sepse njësoj si në ’91-in, nuk ka humbur vetëm Partia Demokratike, ka humbur demokracia, kanë humbur shqiptarët, ka humbur Shqipëria”, u shpreh Basha.
Ai theksoi se nuk do të ketë asnjë marrëveshje, asnjë pakt me partitë që blenë, e manipuluan votën e shqiptarëve.
“Betejë e cila nuk mbaron me kaq, marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Rama Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”, deklaroi Lulzim Basha.



