
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka mohuar sot gjatë një prononcimi për mediat takimin e pretenduar me Lulzim Bashën.
I pyetur a është takuar me Lulzim Bashën në dhjetor të vitit 2022, Balla u përgjigj me ironi: “Jo nuk e kam takuar. Kam qëlluar në të njëjtin ashensor edhe me Sali Berishën. Nuk e kam takuar”.
Në deklaratën e tij ai komentoi edhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit, duke u shprehur se koha kur humbësi fajëson për rezultatin kundërshtarin dhe s’e sheh fajin te vetja nuk ka dhënë rezultat.
“Ajo që na kanë besuar qytetarët në 14 maj më shumë se një inkurajim është një përgjegjësi e madhe për të vijuar punët. Mendoj që koha kur humbësi s’e sheh fajin te vetja, por te ai që ka fituar, nuk ka dhënë rezultat. Edhe ne duhet të bëjmë një analizë të mirë të rezultatit për të kuptuar ku duhet të përmirësojmë punën”, tha ai.
Më herët në fjalën e mbajtur në Kuvend, Balla i bëri apel opozitës që t’i rikthehet punës në Kuvend, duke u shprehur se mazhoranca është e gatshme për bashkëpunim.



