
Grupi i Alibeajt ka depozituar këtë të hënë në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ishte përfaqësuesi ligjor i grupit të Alibeajt, Indrit Sefa ai që depozitoi kërkesën për regjistrim.
Vlen për t'u theksuar se në shkresë thuhet që Lulzim Basha ka autorizuar Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin dhe Indrit Sefën në lidhje me kërkesën.
“Unë Lulzim Basha, me funksion kryetar i Partisë Demokratike, lidhur me zgjedhjet vendore të 2023, sipas datës së caktuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës, në përmbushje të kompetencave të kryetarit të Partisë, autorizoj ushtrimin e tyre nga nënkryetari i Partisë Enkelejd Alibeaj dhe/ose Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi dhe/ose Sekretari për çështjet ligjore dhe zgjedhore Indrit Sefa…”, thuhet në shkresën që është dërguar në KQZ.
Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet brenda pak ditëve nga komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Celibashi. Një ditë më parë edhe Sali Berisha ka depozituar në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit.
Nëse KQZ do të pranojë si subjekt zgjedhor grupin Alibeaj, kandidatët e Berishës pritet të garojnë përmes një koalicioni. Kujtojmë që sot është afati përfundimtar për depozitimin e kërkesave për regjistrimin e partive në KQZ.



