Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se janë vaksinuar kundër koronavirusit mbi 9 mijë efektivë policie, duke e konsideruar këtë një sukses.
“Ne kemi filluar tashmë prej ditësh me efektivët e policisë së shtetit. E kemi shtrirë edhe tek policia bashkiake. Janë tashmë më shumë se 9 mijë efektivë të policisë që janë vaksinuar. Dhe ky është padyshim një sukses sepse në një kohë shumë të shpejtë po arrijmë të mbrojmë shumë qytetarë të rrezikuar të shërbimeve kritike por padyshim edhe gjyshet dhe gjyshërit, të cilët kanë një vit që kanë përballuar jo vetëm stres, por edhe një izolim social nga kjo pandemi.”
Ogerta Manastirliu bëri me dije se me vaksinat kineze Sinovac të mbërritura të enjten do të vaksinohen qytetarët mbi 60 vjeç.
“Dje kanë mbërritur -pas asaj ngjarje të paprecedent që ndodhi dy ditë më pare- 100 mijë vaksina të Sinovac, të cilat pas gjithë procedurave verifikuese, do të shpërndahen në territor, në qendra shëndetësore dhe qendrat e vaksinimit të përqëndruar, për të vijuar vaksinimin masiv, duke zbritur në grupmoshë dhe duke vijuar me +65 vjeç dhe +60 vjeç me sëmundje kronike”, tha Manastirliu.



