Situata e zjarreve në bashkinë e Gramshit nga ora në orë po vijon të përkeqësohet në mënyrë dramatike.
Burime zyrtare konfirmuan se ka nisur evakuimi i banorëve dhe i gjësë së gjallë në fshatin Nartë, ndërsa flakët po përparojnë me shpejtësi drejt zonave të banuara.
Sipas raportimeve nga terreni, zjarri është përhapur në një luginë nga krahu i Harunasit, për të rimarrë nën kontroll edhe një herë fshatin Harunas, i cili ishte më herët i gjithë i “pushtuar” nga flakët.
Tashmë, rreziku është mjaft i madh drejt Nartës, ku janë vendosur me urgjencë për të përballuar situatën e krijuar dy mjete zjarrfikëse.
Ato janë pozicionuar në krahun e sipërm të fshatit, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve në drejtim të banesave dhe pasurive të mbetura ende të padëmtuara.
Në ndihmë të zjarrfikësve janë angazhuar gjithashtu edhe një autobot uji, forca të ushtrisë, ambulanca dhe mjete të tjera emergjente, në një përpjekje të përbashkët për të mbrojtur jetët njerëzore dhe gjithçka që mund të shpëtohet ende.



