1 Tetori do të shënonte hyrjen në fuqi të fashës së re të energjisë për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovat. Në fakt tri ditë më parë Kryeministri Rama komunikoi shfuqizimin e vendimit, ndërsa Enti Rregullator i Energjisë përmes një publikimi citoi se fasha e re do të vijonte zbatimin nga fillimi i këtij muaji.
Mirëpo i pyetur nga MCN, Kreu i këtij institucioni, Petrit Ahmeti tha se shkresa zyrtare për heqjen e fashës do të finalizohet në mesin e javës së ardhshme.
“Për heqjen e fashës do të ndiqet e njëjta praktikë. Koorporata Elektroenergjetike shqiptare do të dërgojë kërkesën në OSHEE, e cila më pas ja dërgon Entit Rregullator të Energjisë. Vendimi për heqjen e fashës është marrë për shkak të frekuencës së prodhimit hidrik. Sipas ligjit qeveria menaxhon dhe drejton krizën energjitike në vend.”, u shpreh Ahmeti.
Qeveria njoftoi heqjen e fashës së energjisë për qytetarët që harxhojnë më tepër sesa 800 kilovatë, ndërsa vetë konsumatorët janë të paqartë sesi do të paguajnë faturën e muajit tetor, pasi ERE i ka qëndruar vendimit të mëparshëm.
Gjatë mbledhjes me anëtarët e bordit, Enti Rregullator i Energjisë argumentoi rritjen e çmimit me faktin se Koorporata Elktroenergjitike Shqiptare ka shtuar kostot për blerjen e saj nëvlerën e 1.8 miliardë lekësh, megjithatë kjo shifër është harruar dhe i është bindur urdhrit të qeverisë.



