
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se arritja e koalicionit qeverisës tashmë është në dorën e Vetëvendosjes. Në një intervistë për Rtv21, Mustafa shprehet se nuk e ka pritur që negociatat të shkojnë kaq gjatë pa arritur rezultat.
“LDK ka vullnet edhe përkushtim që të arrihet koalicioni se kemi punuar gjatë për këtë kemi kryer një fazë shumë të rëndësishme të punës në harmonizimin e programit qeverisës në përcaktimin e fushave që do të qeverisin LDK e Vetëvendosje dhe subjektet që i përkasin minoriteteve. Kanë mbetur disa gjëra që unë si kryetar i LDK-së kam qenë i bindur se do të zgjidhen dhe do të pajtoheshim në takimin e parë ose të dytë, dhe në asnjë rast nuk kam pritur që do të shkohet kaq gjatë, por vlerësoj se mund të arrihet kjo me vullnetin e partisë që ka dalë e para”, ka thënë Mustafa.
Kreu i LDK-s është shprehur se Vetëvendosje duhet ta vlerësojë mirë ofertën e fundit të LDK-së.
“VV duhet të masë e vlerësojë mirë ofertën që ne kemi dhënë sepse është një ofertë shumë e balancuar që siguron që dy subjektet të kenë pjesëmarrje në organet më të larta përfaqësuese dhe organet qeverisëse të vendit, e cila në asnjë rast nuk e dëmton as njërën palë e shton mirëbesimin dhe mundëson që të arrijmë synimet tona. Nëse s’bëhet kjo, atëherë do të jetë e pasigurtë se si do të funksionojë ky koalicion edhe po të ndodhte koalicioni. Prandaj presim që kjo të vlerësohet mirë, të matet mirë dhe të kemi përgjigje nga Vetëvendosje që mundëson që ne ta bëjmë koalicionin shumë shpejt”, është shprehur Mustafa.



