Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me një vit burg të deputetit të PD Ervin Salianji.
Në prononcimin e parë për median Salianji e konsideroi dënimin si politik, si dhe paralajmëroi se do të ndjekë hapat e tjera ligjore.
“Kjo është një vendimmarrje politike, një dënim politik, dënimi i parë pas 34 vitesh për agjitacion dhe propagandë!”, tha ai.
Vendimi i Apelit konsiderohet i formës së prerë dhe kësisoj Salianjit pritet t'i hiqet mandati i deputetit dhe mundësia për të garuar në zgjedhje.
Kujtojmë që Ervin Salianji akuzohej për kallëzim të rremë në lidhje me dosjen e ashtuquajtur "Babale".
Skandali doli më 14 maj të vitit 2018 nga selia e PD-së, ku u denoncua ai që pretendohej se ishte audio-përgjim ku implikohej në trafik droge Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.



