
I shoqëruar nga bashkëshortja, Sali Berisha ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, ku PD mban sot Kuvendin Kombëtar. Në nisje të takimit ra në sy rikthimi i disa prej bashkëpunëtorëve të vjetër të Berishës, mes të cilëve edhe ish-nënkryetarja Jozefina Topalli, ish-ministrat Arben Imami dhe Spiro Ksera, Myslim Murrizi etj.
Ndërkohë, Kuvendit i janë bashkuar edhe deputetët e grupit parlamentar Flamur Noka, Edi Paloka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Luçiano Boçi, Edmond Spaho, Luan Baçi, Agron Shehaj, Sorina Koti, Oerd Bylykbashi, Isuf Çela, Bujar Leskaj, Belind Këlliçi, dhe Elda Hoti.
Në takim mungojnë 31 deputetë të tjerë të PD-së.
Sot Kuvendi Kombëtar i Rithemelimit, Berisha rikthen emrat e njohur
Komisioni i Rithemelimit do të mbajë sot Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Ai do të nisë në orën 10:00 dhe do të marrin pjesë 1 mijë e 100 delegatë të zgjedhur nga degët e PD në të gjithë Shqipërinë.
Bashkë me ta do të jenë edhe anëtarët aktualë të Këshillit Kombëtar, plus delegatet e rinisë dhe gruas dhe numri shkon në 1800 delegatë. Kuvendi Kombëtar do të zgjedhë sot edhe Këshillin e ri Kombëtar të PD-së.
Në Kuvendin e sotëm, Berisha ka ftuar ish bashkëpunëtorët Arben Imami e Jozefina Topalli, dhe të larguarit e fundit nga PD, si Rudina Hajdari e Myslym Murrizi, si dhe të gjithë deputetët e tjerë të demokratë.
Drejtoresha e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo tha se deputetët dhe kryetarët e rinj të degëve do të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar për shkak të posteve që kanë.
Do të ketë 20 folës, prej të cilëve figura të rikthyer në PD, themelues, personalitete nga jashtë dhe të rinj. Parashikohet që votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të nisë në orën 13:00. Kuvendi do të propozojë ndryshime statutore dhe do të votojë për Këshillin e ri Kombëtar.



