
Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë njofton se është pezulluar mësimi në 280 shkolla në të gjithë vendin.
Në një njoftim për mediat nga ministria bëhet më dije se për shkak të motit të keq është marrë vendimi për pezullimin e mësimit.
"Sipas raportimeve në Ministrinë e Arsimit, për funksionimin e institucioneve arsimore në arsimin parauniversitar, është pezulluar mësimi për sot në 5 drejtori dhe zyra arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë dhe Përmet. Ndërkohë që edhe në disa zyra të tjera arsimore ku disa shkolla ndodhen në zona malore, mësimi nuk është zhvilluar."
Ndërkohë që në zonat e tjera të vendit mësimi vijon normalisht.
Për ato shkolla ku sot mësimi është pezulluar, zëvendësimi i orëve do të bëhet në ditët në vijim.
Në njoftimin për media, Ministria bën me dije se është në kontakt të vazhdueshëm me drejtorët e drejtorive arsimore, drejtues shkollash dhe prefektët e qarqeve për monitorimin dhe ndjekjen e situatës në terren.



