Kreu i PD-së së Rithemelimit Sali Berisha foli edhe sot si zakonisht nga dritarja e banesës ku ndodhet në arrest shtëpie, duke kërkuar që “të gjithë të ngrihen në këmbë” në këto momente sipas tij historike për Partinë Demokratike.
Ndër të tjera Berisha u shpreh se deputetët e opozitës ia dolën "të asgjesojnë Parlamentin e krimit".
Ju jeni mbledhur sot këtu në këtë ditë të ftohtë, në këtë ditë shiu. Nuk jeni këtu për Sali Berishën, por jeni këtu për misionin e madh të shpëtimit të Shqipërisë, jeni këtu për të frymëzuar shqiptarët në këtë betejë jetike, vendimtare për fatin e kombit, fatin e fëmijëve tanë, fatin e vendit tonë. Asnjëherë nuk duhet për asnjë moment të heqim dorë nga kauza jonë e drejtë, por duhet ta mbrojmë atë siç po e mbroni ju.
Ndaj dhe ftesa ime është së pari për çdo demokrate dhe demokrat, këto janë momente historike për PD-në. Janë momente në të cilat kjo parti, anëtarët e saj, mbështetësit e saj duhet të vendosin të ngrihen në këmbë si luftëtarë lirie, të ngrihen në këmbë si burra dhe gra që përmbysën diktaturën më të egër staliniste në Shqipëri, për të përmbysur diktaturën e re moniste të krimit. Apo të ngrihen në këmbë për t’i dalë zot trashëgimisë së tyre të shkëlqyer. Të ngrihen në këmbë si viganë për të mposhtur diktaturën e re, si vizionarë, si misionarë.Historia fton të gjithë ata të ngrihen përsëri në këmbë, përndryshe arkivat e saj presin të gjithë ata që do qëndrojnë indiferentë në këtë kohë. Unë e kuptoj se zhvillimet kanë pasur shpejtësi marramendëse, e kuptoj gjithashtu se kjo e keqe nuk erdhi përnjëherësh, erdhi gradualisht. Por të mos harrojmë, demokrate e demokratë, se ne të cilët kishim misionin historik të përballjes, të mposhtjes së saj, nuk qemë në lartësinë e misionit tonë. Ajo para syve tanë, u bë çdo ditë e më e madhe, çdo vit e më e keqe. Së fundmi, pas 14 majit, Edi Rama kaloi në sulm të hapur frontal për asgjësimin e opozitës. Ju mohoi përfaqësuesve të shqiptarëve të gjitha të drejtat kushtetuese në parlament, i shndërroi ata në qenie fiktive, në fasadë opozitë, për çka përfaqësuesit tuaj nisën një nga betejat më epike, më të jashtëzakonshme në historinë e një parlamenti.
Me mosbindjen e tyre civile, deputetët e opozitës mbrojtën para së gjithash dinjitetin e tyre, dinjitetin e secilit prej jush që votuat për opozitën. Së dyti, me mosbindjen e tyre, deputetët e opozitës asgjësuan parlamentin e krimit, dëshmuan se cili është parlamenti i Edi Ramës dhe banditëve të tij.
Sali Berisha tha se Xhorxh Soros shkatërroi sistemin për ta vendosur drejtësinë në dorën e Ramës.
Çdo ditë, zhvillimet flasim për abuzime masive të të drejtave të shqiptarëve. Dje lexoja nga 5200 të burgosur, 3200 janë në paraburgim. Imagjinoni miq se ku janë të drejtat e njeriut në këtë vend. I marrin dhe i plasin në qeli sikur të mos ishin njerëz dhe i lënë pa proces gjyqësor sepse shkatërruan sistemin me Xhorxh Sorosin për të vendosur, për të shndërruan drejtësinë në degë ekzekutive. Komisar Sokol Sadushi kërcënon dje avoketërit, mos sillni rekurse. Miqtë e mi, në çdo vend të botës, edhe në diktatura, sistemi tre shkallësh i drejtësisë është garanci kushtetuese. Por pasi krijuan Drejtësinë e Partisë, pasi krijuan drejtësinë si seksion të PS-së, tani nuk kanë më gjykatës, nuk kanë më prokurorë. Mijëra e mijëra shqiptarë mbahen në burgje sepse nuk ka njeri t’u bëjë dosjen gati, nuk ka njeri të gjykojë ata qindra e mijëra. Mbi 130 mijë presin në dekada për të mos marrë kurrë vendimin për të drejtat e tyre. Ky është vetëm njëri aspekt, nga më të shëmtuarit i narkoshtetit. Por në çdo aspekt ta marrësh, e keqja po ngulitet çdo ditë e më thellë në qenien e kësaj shoqërie dhe të këtij kombi.
Ndaj dhe ju, çdo ditë e më shumë, bëheni më të mëdhenj, shndrisni më shumë në misionin tuaj, në betejën tuaj. Kështu që shpreh edhe njëherë mirënjohje të pakufishme, besimin e palëkundur se me kauzën tonë të drejtë do fitojmë. Mos harroni se 3 vjet më parë menduan se opozita shqiptare u ndry në banesën e harresës. Por gabuan. U ngritëm si Feniksi sepse kauza jone ishte dhe është e drejtë. Përsëri menduan se duke vendosur në arrest shtëpie Sali Berishën, do i jepnin opozitës goditjen vendimtare. Përsëri u ngritëm si Feniksi dhe kësaj here do ecim të sigurt drejt fitores. Edi Rama, fundi yt po vjen. Luftëtarët e lirisë, misionarët e shpresë, shqiptarët do fitojnë, kurse regjimi do përfundojë në kalendat e historisë. Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë fitorja! Fitore, fitore, fitore!



