
Bashkimi Evropian ka dënuar sulmet izraelite ndaj paqeruajtësve të OKB-së të vendosur në Libanin jugor.
Ai shprehu "shqetësim veçanërisht të rëndë në lidhje me sulmet" nga ushtria izraelite kundër Forcave të Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban, UNIFIL, ku mbetën të plagosur disa paqeruajtës.
“Sulme të tilla kundër paqeruajtësve të OKB-së përbëjnë një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe janë krejtësisht të papranueshme”, thuhet në një deklaratë.
“Ne presim urgjentisht shpjegime dhe një hetim të plotë nga autoritetet izraelite në lidhje me sulmet kundër UNIFIL-it, i cili luan një rol themelor në stabilitetin e Libanit jugor”.
BE-ja shprehu gjithashtu shqetësimin për "lëshimin e vazhdueshëm të raketave në Izrael" nga Hezbollahu dhe sulmet izraelite në zonat me popullsi të dendur të Libanit.



