Mëngjesin e kësaj të hëne, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit zhvilloi shpërthimin e kontrolluar të një objekti trekatësh beton-arme pa leje, i ndodhur pranë aksit rrugor Vlorë-Orikum.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
Për rrëzimin e objektit u hapën 410 furnela, u shtrinë 1100 metra linearë fitil detonant dhe u përdorën 32 kilogramë lëndë plasëse.
Për të minimizuar ndikimin në zonë dhe për të mos penguar sezonin turistik, shpërthimi u krye në orët e para të mëngjesit.
Objekti kishte një sipërfaqe prej 600 metrash katrorë për kat, ose 1800 metra katrorë në total pa leje ndërtimi.
Aksi rrugor Vlorë-Orikum u bllokua përkohësisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike u ndërpre 15 minuta përpara shpërthimit.
Gjatë operacionit ishin të pranishme mjetet zjarrfikëse, ambulanca dhe personeli përkatës.
Pronarët e objekteve pranë perimetrit të sigurisë ishin njoftuar më herët dhe u ishte kërkuar bashkëpunimi për marrjen e masave mbrojtëse.



