Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa ndan mendimin se dominon qasja opozitare për ta trajtuar çështjen e inceneratorëve, si një grup të organizuar dhe strukturuar kriminal. Në një lidhje për MCN Live, ai tha se kemi të bëjmë me pritmërinë e opinionit publik për një definicion përfundimtar të hetimeve të SPAK dhe këto nuk janë siç dëshiron spektri opozitar që të trajtohen si një më vete, por se sipas hetimeve të SPAK janë marrë sipas bashkive që e kanë zbatuar këtë projekt, ku minimalisht janë katër bashki të përfshira në këtë projekt. Çipa deklaroi se në aspektin e inceneratorëve ka tre rryma presioni apo interesimi, ku së pari përmendi konceptin antikorrupsion, referuar faktorit ndërkombëtar, ambasadorëve, për ta hetuar dhe mbajtur në interesimin e institucioneve të drejtësisë. Së dyti përmendi konceptin politik, duke nënvizuar se sot ka një debat për rendin e çështjes sipas interesit të shoqërisë dhe një pjesë tjetër ku partitokracia mundohet të realizojë një rrotacion. Së treti, Çipa citoi dhe krizën e opozitës, duke thënë se personalisht do të donte që të ishte në rend të ditës interesi i shoqërisë dhe jo ai politik, duke shtuar se një gjë e tillë e mban vendin tonë në një gjendje të ndenjur. “Aspekti tjetër është që në këtë kuadër a është opozita sot e aftë për ta imponuar? Mendoj që po, opozita është në gjendje nga momenti që e detyroi shumicën të ngrejë komision hetimor dhe janë kauzat e opozitës që çuan në nisjen e hetimeve. Pista e parë janë akuzat e publikuara, jo vetëm fshehja e të ardhurave dhe dyshimet për pastrim parash për Arben Ahmetaj, por shpërdorimi i detyrës dhe një akuzë tjetër që të çon pashmangshmërisht pjesë të hetimit të inceneratorëve, për mënyrën se si është buxhetuar dhe buxhetohet, se ne themi që vazhdon të financohet ende. Se SPAK një pjesë të mirë të inceneratorëve i ka çuar në sekuestro preventive, është një veprim i menjëhershëm ndërhyrës.” Për përplasjen mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj me gazetaren Ola Xama, ku e etiketoi këtë të fundit si “vrasëse me pagesë”, Çipa deklaroi se si Union i Gazetarëve të Shqipërisë do të dalë me deklaratë ditën e sotme për këtë rast. “Ne distancohemi nga mënyra e komunikimit të kryetarit të bashkisë Tiranë me kolegen Ola Xama, nga fjalët e përdorura në Whatsapp ka elementë të intimidimit dhe nervozizëm për mënyrën si ka raportuar kolegia Xama. Nëse ndonjë autoritet ka nevojë për të reaguar ndaj asaj që thuhet nga reporterët mund të bëhet duke kërkuar kohën dhe të jepet mundësia e reagimit nga media. Unioni i Gazetarëve është në solidaritet me kolegen Xama dhe mbështet çdo përpjekje të saj për ta thelluar hetimin për çështjen e inceneratorëve. Liria përcaktohet nga kurajo e gazetarit dhe guximi për të vazhduar me çështje me ndjeshmëri të lartë publike dhe jo çdo zyrtar i lartë me kostum e pengon gazetarin. Ne jemi vendi në gjithë Europën Juglindore me numrin më të madh të mediave, por ato nuk janë cilësore. Sot më i rrezikshëm është ky kaos që themi, se ka sot media që nuk u dihen as pronarët, as administratorët, as stafet, këto media të thashethemnajës shkaktojnë kaosin. Nuk e pengon dot kryetari i bashkisë lirinë gazetarit, madje ka reagime të gazetares për të vijuar më tej investigimet. Liria cenohet kur editori nuk ia boton materialet, kjo nuk ekziston, madje tregon se ekziston liria.” Si moment intimidimi Çipa përmendi momentin e mesazhit ku Veliaj e etiketon gazetaren si “vrasëse me kontratë”. Sipas tij, nuk ka arsye për ta çuar Veliaj në gjykatë gazetarin, duke thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë nëse pretendon se faktet e raportuara nuk qëndrojnë.



