Që kur Ukraina pësoi sulmin e parë nga Rusia, më 24 shkurt, reagimet e qytetarëve ukrainas kanë qenë të ndryshme: nëse disa kanë vendosur të ikin, të tjerët janë ata që kanë vendosur të luftojnë për vendin e tyre.
Por ka nga ata që kanë vendosur të qëndrojnë dhe të bëjnë rezistencë pa marrë armë në duar, duke përdorur pistoleta apo duke bërë kokteje molotov, por duke ndihmuar njerëzit dhe duke vazhduar të bëjnë punën e tyre. Ky është rasti i Pavlo Servetnyk, një kuzhinier i famshëm 28-vjeçar ukrainas, fitues i edicionit 2019 të Masterchef Ukraine dhe menaxher i një picerie në qendër të Kherson, i cili ka filluar të pjekë bukë falas që nga nisja e agresionit rus.
Që nga 24 shkurti, filloi të punonte 20 orë në ditë, për të garantuar ushqim për bashkëqytetarët e tij. Siç tha i riu për CNN, çdo ditë ai prodhon mijëra bukë, i ngarkon në kamionin ose makinën e tij dhe ia shpërndan popullatës së qytetit të tij.
Qyteti ku jeton dhe punon Pavlo Servetnyk, Kherson, ishte qendra e parë e madhe dhe strategjike që ra me përparimin rus dhe furnizimet ushqimore tani kanë filluar të mbarojnë.
Për këtë arsye, kuzhinieri së bashku me furrtarët e tjerë, ka ndryshuar biznesin e tij, duke e shndërruar picerinë në një furrë buke që prodhon mijëra bukë çdo ditë.
Nuk kishte bukë! Vendosëm të mos ikim, filluam t’i shpëtojmë njerëzit në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i ushqyer.
Megjithatë, kur dëgjoi të shtëna armësh pranë shtëpisë së tij, kuptoi se në fushën e betejës nuk do të mund të reagonte, do të qëndronte i palëvizur, i tmerruar dhe ndoshta do të vritej, ndaj vendosi që t’i ndihmojë njerëzit me bukë.
Puna e Pavlo Servetnyk tani fillon në agim, kur ai bën bukët e para të cilat më pas ua dorëzon falas jetimoreve ose të moshuarve që jetojnë në periferi. Më pas i kthehet zënies dhe pjekjes së bukës, nga mesdita deri në orët e vona të natës:
Në qytetin e Khersonit, shumica e banorëve kanë ikur ose janë izoluar në shtëpi, nga frika se mos ndalohen nga trupat ruse që kanë ngritur postblloqe në rrugët e qytetit: kjo është pikërisht arsyeja pse çdo udhëtim që Servetnyk bën për të shpërndarë bukë, përbën një rrezik të madh për të. Por ai e di se pa bukën e tij, shumë nga banorët do të vdisnin urie.
Për ta ndihmuar në këtë nismë solidariteti janë përfshirë edhe shumë donatorë nga e gjithë bota, të cilët kontribuojnë në shpenzimet, si p.sh., ai e karburantit, për të blerë miell, maja, ujë dhe kripë, përbërësit bazë të bukës. Megjithatë në dyqanin e tij, ka produkte për bukë, vetëm për dy javët e ardhshme...



