
Macerata u gjend e pushtuar këtë fundjavë nga demonstratat antifashiste. Një qytet i blinduar nga policia ka mirëpritur paradën anti-raciste dhe antifashiste, një kortezh njerëzish prej më shumë se dy kilometrash. Protesta janë mbajtur në mbarë Italinë, ndërkohë që pas tre javësh mbahen zgjedhjet e përgjithshme.
Në Macerata, Milano, Bolonjë, Torino, Palerno, Romë, Bolzano vërshuan këtë fundjavë antifshistët italianë. Eurodeputetja Laura Boldrini ishte e pranishme në Milano dhe mori duartrokitje nga turma. Ndërkaq Partia Demokratike, e cila, siç pritej, nuk ka marshuar, do të bashkohet me protestuesit në Romë, në mitingun e planifikuar të zhvillohet në 24 shkurt.
Ka pasur mosmarrëveshje mes të majtëve italianë lidhur me qëndrimin ndaj ngjarjes. Është shumë kritik - siç pritej - pozicioni i sekretarit të koalicionit të kryeministrit. Matteo Salvini tha se “është turp" që "në ditën kur tre nigerianë janë arrestuar për vrasjen dhe therjen e një vajze italiane, krahu i majtë del në rrugë kundër racizmit". Përgjigja e Partisë Demokratike ndaj Salvinit erdhi nga Luigi Zanda, kryetar i senatorëve. "Është fashizmi i fshehur i Salvinit që prodhoi Maceratën dhe nuk mund ta nënvlerësojmë atë," thotë ai. "Fashizmi - vazhdon ai – nuk do të kthehet kurrë me këmishë të zezë, por ka një tjetër rrezik serioz: kriptofashizmi i Leaga-s që prodhon një korrupsion të vërtetë kulturor të mendimit dhe jetës italiane. Ngritja e vazhdueshme e tonit, fyerja e emigrantëve apo e atyre që mendojnë ndryshe, britmave dhe populizmi i Berlusconit, paraqesin një rrezik serioz për demokracinë tonë ".
Qyteti Macerata u vu në qendër të lajmeve më 3 shkurt, kur një person, dyshohet se ka kryer një sulm me të shtënat nga makina e tij në drejtim të emigrantëve afrikanë, duke plagosur pesë burra dhe një grua. Duke folur para hetuesve, ai është shprehur se kjo ishte në përgjigje të vrasjes së një vajze 18-vjeçare italiane, trupi i së cilës u gjet i copëtuar në disa valixhe. Policia arrestoi një trafikant nigerian të drogës i dyshuar në lidhje me rastin. Të shtënat e tronditën Italinë, e cila do të mbajë zgjedhje të përgjithshme pas vetëm tre javësh, ku partitë e ekstremit të djathtë priten të bëjnë një performancë të fortë. Të enjten, aktivistë nga ekstremi i djathtë “Forza Nuova” mbajtën një tubim anti-emigracionit në Macerata, duke shkaktuar përleshje pasi ata bënë një përshëndetje alla fashiste.



