Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka anuluar vizitën private të parashikuar në Malin e Zi me rastin e Krishtlindjes ortodokse më 7 janar. Vendimi ka ardhur pas takimit me patriarkun Irinej. Pas miratimit të ligjit për liritë fetare nga parlamenti malazez, që sipas serbëve diskriminon Kishën Ortodokse Serbe, marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar. Vuçiç thotë se qeveria malazeze kërkon të ulë numrin e serbëve në Malin e Zi deri në asgjësim.
“Serbët përfaqësojnë 28.5% të popullsisë në Mal të Zi dhe janë të vetmit të papërfaqësuar në elektorat në gjithë rajonin e Ballkanit. Është një diskriminim dhe ndaj Kishës Ortodokse të Serbisë. Por vendosa bashkë me Irinej të anuloj vizitën tek serbët në Mal të Zi për të respektuar pavarësinë e tyre. Prej vizitës time, edhe pse nuk do të kishte fjalime politike mund të kishte përplasje dhe mund të lëndoheshin serbët në Malin e Zi. Ne jemi vëllezër me ta, por vëllezërit duhet të respektohen’’, tha Vuçiç.
Ndërkohë, ambasadori serb në Podgoricë, Vladimir Bozoviç, i thirrur sot për t’i dorëzuar një notë proteste në Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi, e ka refuzuar dokumentin.
Në notën e protestës, e hartuar nga pala malazeze, dënohen përpjekjet për t’i vënë zjarrin flamurit malazez dhe sulmi në afërsi të ambasadës.
Portali RTCG raporton se Bozoviç e dënoi djegien e flamurit si një veprim të papërshtatshëm.



