
Dy të rinj në Napoli të Italisë e gjetën veten në një betejë ligjore me kompaninë e themeluar nga Steve Jobs, pasi vendosën t’i vënë emrin e tij biznesit të tyre. Vincenzo e Giacomo Barbato, dy sipërmarrës napolitanë, vëllezër, ia vunë emrin “Steve Jobs” markës së tyre të veshjeve hi-tech.
Historia e tyre zë fill në vitin 2012, kur dy partnerët në biznes e regjistruan markën “Steve Jobs” me një logo me shkronjën J, në trajtën e një kafshimi që të kujton mollën e famshme të kompanisë “Apple”.
“Bëmë studimin e tregut dhe kuptuam se “Apple”-it, një prej kompanive më të njohura në botë, nuk i ka shkuar kurrë ndërmend të regjistrojë markën e themeluesit të saj. Kështu që vendosëm ta bëjmë ne”, thonë ata.
Kështu ka lindur marka “Steve Jobs”. Vëllezërit ortakë e kanë rrëfyer historinë e tyre për mediat, pasi gjykata u dha të drejtë. Ata mbajtën emrin e kompanisë, të cilën nëse kanë sukses, mund ta shtrijnë në tërë botën. / ANSA /



