
Dhjetë persona janë vrarë me armë zjarri në një shkollë të mesme në qytetin Graz të Austrisë.
Lajmi është konfirmuar edhe nga kryebashkiakja Elke Kahr. Mediat lokale raportojnë se 30 persona kanë marrë ndihmë mjekësore, ku disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Ende nuk dihen motivet e ngjarjes së rëndë që ka tronditur opinionin publik në Austri dhe jo vetëm.
Po ashtu është ende e paqartë nëse personi i armatosur ishte nxënës apo ish-nxënës i shkollës.
Aktualisht ka një prani të madhe policore pranë shkollës së mesme Dreierschützengasse, vendi ku ndodhi masakra. Sipas "bluve" autori është neutralizuar dhe nuk ka rrezik të mëtejshëm për njerëzit.
Kancelari austriak Christian Stocker tha se "nuk gjen fjalë për ta përshkruar dhimbjen dhe pikëllimin që po ndien ai dhe të gjithë në Austri", ndërsa foli për një tragjedi me përmasa kombëtare.
Kancelari pritet të jetë vet i pranishëm në vendngjarje ditën e sotme.
Grazi është qyteti i dytë më i madh i Austrisë dhe ndodhet rreth 200 km nga kryeqyteti, Vjena.



