Motra e vëllezërve Haklaj të Tropojës, Aishe Haklaj, është paraqitur sot në SPAK për t'u marrë në pyetje lidhur me akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Duke folur mbi këtë zhvillim gazetari Sokol Bregu tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se nuk beson që znj. Haklaj të ketë thënë asgjë më tepër se sa deklaratave që janë publike.
Sipas Bregut fakti që SPAK ndërmerr veprime në fushatë, dy vjet pas kallëzimit, bëhet me qëllim për ta dëmtuar Berishën në zgjedhje. Sipas Bregut janë ndërkombëtarët që e gatuajnë këtë histori në këto momente
Bregu thotë se kjo çështje nuk mund të zgjidhet, sepse për pjesën më të madhe të atyre ngjarjeve prokuroria ka vepruar keqazi, pa asnjë provë në vendngjarje.
I pyetur çfarë ka deklaruar përpara SPAK Aishe Haklaj? Bregu tha:
Kam përshtypjen se asgjë më tepër se ato që janë publike. Familja Haklaj ka një mënyrë ndryshe të të komunikuarit. Para se të bënin këtë kallëzim penal, ata çdo gjë e kanë thënë në media me dhjetëra herë. S’ka asgjë më tepër se sa dëshmi në procesin e vrasjes së Azem Hajdarin. Të gjitha ato dëshmi gjenden edhe në dosjen hetimore për procesin e Azem Hajdarit. Aty ka pasur dëshmi të një prej kallëzuesve kryesor në këtë procedim, babai i vëllezërve të vrarë, Muharrem Haklaj. Ai ka shpjeguar gjithë dyshimet e tij, duke akuzuar atë kohë në opozitë dhe më pas kryeministrin Sali Berisha. Gjatë kohës që Berisha ishte kryeministër ata morën azil në Suedi, gjatë viteve 2005-2013. E akuzonin edhe nga Suedia z.Berisha. Ata kanë thënë çdo gjë publike. Ajo që bie në sy në denoncime është fakti se edhe në ato raste kur janë akuzuar, akuzohen për një numër të madh vrasjesh, por tashmë personat që kanë kryer vrasje janë të vdekur dhe është pushuar procedimi penal ndaj tyre. Në 94’ është vrarë një polic dhe është i vetmi krim që ata nuk kanë pranuar se është kryer prej tyre, ndërkohë që krimet e tjera i kanë pranuar që kanë qenë për shkak të historisë kanunore, gjakmarrjes.
Ky është një kallëzim penal i bërë para dy vitesh. Pse sot SPAK thërret...Kam përshtypje për të dëmtuar z.Berisha për fushatën e tij elektorale aktuale dhe për ta risjellë edhe një herë këtë. Nëse mund të dëmtohet ose jo është perceptim. Ka një arsye pse thirret sot për të tërhequr një vëmendje. Akuzat ndaj z.Berisha nuk janë provuar ndonjëherë. Bëhet fjalë për dhjetëra vrasje, në Tropojë dhe pjesë të tjera të vendit ku kurrë s’ka patur një përfundim, kurrë dosja s’ka shkuar për gjykim, dhe nuk ka pasur një të dënuar. Vetëm në rastin e vrasjes së deputetit Azem Hajdari kemi pasur një proces. Prandaj vijmë sot me deklarata publike, familjare, politike, për të diskutuar çfarë ka ndodhur. Një pjesë e madhe e vrasjeve datojnë në 1998-1999-2000, kur në Tropojë s’mund të mblidheshin prova shkencore”.
I pyetur a ka gjasa që SPAK ta thërrasë Berishën? Bregu shprehet:
Është në përgjegjësinë e SPAK-ut. Jam i bindur që pa përfunduar zgjedhjet Berisha s’do t’i shkonte edhe sikur të thërritej. Berisha edhe në procesin e vrasjes së Azem Hajdarit nuk vajti. Biles në atë kohë erdhi një prokuror norvegjez, që e mori në pyetje në selinë e PD.
Ajo që kuptoj në këtë moment, është e qartë që mënyra është për ta dëmtuar. Po ata që e ‘përkëdhelën’ në këto histori, sidomos në këtë çështje, ndërkombëtarët, janë po ata që po gatuajnë këtë histori në këto momente. Kur flasim për ndërkombëtarët flasim për ambasadën amerikane. Është një ndërthurje mes SPAK dhe ambasadës amerikane. Në dhjetor u bënë zgjedhjet dhe për të zgjedhur personin që drejton SPAK mori pjesë në të gjitha seancat ambasadorja amerikane. Kjo është publike. Për herë të parë pamë një debat mes ambasadës amerikane dhe qeverisë për shefin e ri të SPAK. Nuk ka një provë të re, një histori të re, ka një fillim për herë të parë të një hetimi, të një çështje që është debatuar politikisht për vite me radhë, por që s’mund të zgjidhet në dijeninë time, sepse për pjesën më të madhe të atyre ngjarjeve prokuroria ka vepruar keqazi, pa asnjë provë në vendngjarje”.



