Për artistin Bujar Kapexhiu spektaklet sot janë më të komplikuara sesa në kohën kur ai ishte moderator, apo konferencier siç quhej atëherë, pasi nuk anonçohet vetëm një këngë, apo nuk bëhet vetëm një bisedë me këngëtarin.
I ftuar në emisionin “Bilardo në MCN”, Kapexhiu tha se edhe pse ka ndodhur ky “komplikim”, për moderatorët është më e lehtë që të prezantojnë, pasi edhe nëse ata bëjnë ndonjë lapsus apo thonë diçka jashtë rregullave ata nuk kanë frikë se për këtë shkak do të hiqen nga puna apo do t burgosen.
Spektaklet sot janë më të komplikuara, nuk janë më të thjeshta, që të anonçosh një këngë dhe të bësh një bisedë me një këngëtar. Ka dhe aktivitete të tjera brenda që e plotësojnë spektaklin. Ato që janë vërtetë spektakle!
Sot moderatorët e kanë më të lehtë. E kanë më të lehtë, pasi edhe nëse bëjnë ndonjë lapsus apo edhe nëse thonë diçka jashtë rregullave nuk kanë frikë se mund të pushohen nga puna, nuk kanë frikë se mund të burgosen, nuk kanë frikë se mund t’i shajnë dhe kritikojnë. Janë të lirshëm.
Në atë kohë ka qenë më statik, me mendjen në kokë për të thënë gjëra që janë brenda kornizave. Atë gabim bëmë që na dënuan. Dolëm nga shinat, dolëm në fushë të hapur. Asokohe nuk kisha ndonjë tekst që më kishin dhënë në mënyrë zyrtare, tekstin e bëra vetë sipas mënyrës sime sipas situatës, tipit të këngëtarëve.
Pyetjes së gazetarit Denis Dyrnjaja “A ishte një kurth për t’ju futur në grackë ‘liria’ që iu lanë në Festivali i 11-të ?”, Kapexhiu iu përgjigj:
Në të gjitha drejtimet kishte liri, liri mendimi, liri veprimi. Kjo ndodhi dhe vitet ’71-’72. Ndihej një erë liberalizmi, ndihej sikur diçka po ndodhte. Ndihej puhiza e lehtë e lirisë, e demokracisë. E çuditshme sepse erdhi mes nesh. Edhe tentativa e atyre që vendosën për Festivalin e 11-të që ta bënin në këtë formë, duke filluar nga udhëheqësi artistik Nikolla Zoraqi, nga regjisori Mihal Luarasi. Në të gjitha drejtimet lihej një liri. Tekstet do i bënim vetë, do visheshim si donim. Nuk kishte një këngë për Enver Hoxhën, nuk kishte një këngë për partinë, për socializmin. Vetë orkestrimet ishin moderne. Hyri bateria shumë fort, hyri saksi.
Në një moment të caktuar, mesa mbaj mend, një ditë para festivalin në gazetën “Zëri i Popullit” doli një artikull i cili paraprakisht lajmëronte që po bëhej diçka e re. Thoshte që do të ketë ndryshime.
Për herë të parë, konferencierja, moderatorja Edi Luarasi ishte me fustan të gjatë, me ca mëngë të fryra, ishte fustan shumë i bukur. Për herë të parë këngëtaret veshën fustane të gjata, një gjë që deri në atë kohë ishte e ndaluar e papranueshme. Stili i tyre ishte shumë interesant. U lanë të lira që secila të mendonte vetë. Atmosfera ishte për të bërë diçka të re.



