Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja e ndodhur këtë të martë në një degë të “Fibank” në Tiranë, ku një 58-vjeçar, i identifikuar si Bardhyl Fusha, hyri i armatosur me kallashnikov dhe grabiti shumën prej 20 milionë lekësh.
Sipas burimeve, autori ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se ishte në gjendje të rëndë financiare, pasi kishte falimentuar dhe kishte shumë borxhe, duke e cilësuar këtë si arsye që e shtyu drejt aktit kriminal.
Po ashtu, bëhet me dije se gjatë grabitjes ai ka qëlluar me kallashnikov në tokë, për të frikësuar punonjësit dhe klientët, duke arritur më pas të marrë paratë.
58-vjeçari u arrestua pak pas ngjarjes nga policia, ndërsa arma e zjarrit u sekuestrua si provë materiale.



