Eksperti i bujqësisë, Eduart Sharka deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e emisionit “MCN Economy” se arsyeja pse vaji i ullirit në vendin tonë ka mbetur stok është sepse mungon marketingu, sistemi i ambalazhimit dhe certifikimit.
Duke vijuar shpjegimin e tij, Sharka tha se qeveria duhet të kishte bërë një plan për shitjen e vajit të ullirit dhe se duhet të ketë incentivim dhe koordinim mes fabrikave të vogla.
Më tej, eksperti tha krijimi i standardit për eksport mund të zgjidhë problemin e vajit të ullirit të mbetur stok.
Fakti që kemi pasur plan kombëtar për mbjelljen e ullirit duhet të ishte shoqëruar dhe me një projekt për shitjet e vajit të ullirt. Vaji i ullirit është produkt deficitar në tregun global, ulliri bëhet në Mesdhe. Situata është e tillë se mungon marketingu, mungon një sistem i ambalazhimit dhe etiketimit, nuk shitet për eksport pa pasur një etiketë ku tregohet se çfarë përmban produkti. Fermeri s’e bën dot. As fabrikat e vogla. Ka nevojë për koordinim, qeveritë duhet të ishin marrë me tregun e shitjes, pasi tregu jonë është i vogël. Duhet incentivim nëpërmjet IPARD apo AZHBR. Vaji i ullirit ka disa standarde për ta prodhuar për eksport.
Është detyrë e qeverisë. Mënyra e organizmit të bujqësisë i takon shtetit. Nëse vaji do ambalazhohet dhe do të certifikohet si duhet, tregu është i madh për vajin e ullirit dhe nuk do të ishim në këtë situatë. Duhet të koordinohen këto minifabrika. Fermeri thjesht mund ta prodhojë. Ajo që shitet shitet në mënyrë informale, shkojnë konsumatorët tek prodhuesi. E vetmja rrugë është krijimi i standardit për eksport dhe kjo do i zgjidhte të gjitha këto probleme.
Ka një interes zero të instancave të pushtetit vendor dhe qendror për mungesën e tregut të vajit të ullirit. Nuk dua ta politizoj, as të them që shitjen e bën qeveria. Duhet koordinim, nëse do kishte vëmendje si problem diçka do ishte bërë. Nëse i thua fermerit, na lekë për të mbjellë ullinj, si shtet duhet të kesh marrë dhe përpjekje dhe projekte për marketingun. Duhet të ishin bërë përpjekje për të gjetur tregun.



