Prej afro pesë orësh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në SPAK ku u paraqit në orën 09.00 të mëngjesit të sotëm pa praninë e avokatit.
Gazetari Arsen Rusta raportoi për edicionin e lajmeve në MCN TV se Veliaj po iu përgjigjet pyetjeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit për llogari të hetimeve të nisura nga SPAK pas thirrjes nga prokurori Ols Dado lidhur me veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”.

Është një hetim që vijon prej disa muajsh përfshi edhe kontrollin e ambienteve personale familjarëve të tij, përfshirë sekuestrimin e telefonit të bashkëshortes së zotit Veliaj dhe prova materiale të konsideruara të rëndësishme nga SPAK.
Veliaj do të japë hetime si person në dijeni dhe kjo është hera e dytë që paraqitet në SPAK.
Herën e parë ka qenë për inceneratorin e Tiranës dhe dosjen “5D”, por kësaj here është për procedim penal korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Ndërkohë në ambientet e jashtme të SPAK, pati përfaqësues të opozitës të cilët kërkojnë arrestimin e Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij.



