Bllokimi i tri kamionëve të kompanisë Trans Shped, që denoncoi në TEMA TV padrejtësinë që po i bëhet nga polica shqiptare, nga kjo e fundit është e protokolluar me procesverbalet përkatëse.
DREJTORI I SHËRBIMIT TË SIGURISË SË AUTOSTRADAVE Luan Shehaj, në përgjigjen që i ka adresuar redaksisë së televizonit, sqaron se mjetet nuk janë lejuar të vijojnë rrugën, pasi ngarkesa e tyre është e pasistemuar dhe baza ligjore e bllokimit është gjetur te pikat 1, 8 dhe 9 të nenit 162 të Kodit Rrugor. Përkatësisht, neni 1 referon se ngarkesa e mjeteve duhet të sistemohet në mënyrë të tillë që të mënjanohet rrëzimi ose humbja e saj; të mos zvogëlohet fushëpamja e drejtuesit të mjetit dhe të pengohet lirshmëria e lëvizjeve gjatë drejtimit; të mos rrezikojë stabilitetin e mjetit; të mos mbulojë sistemet e ndriçimit dhe sinjalizimit pamor, targat e njohjes dhe sinjalet e bëra me krahë.
Më tej, mbi specifikimin e nenit 8 drejtori Shehaj, shpjegon edhe sanksionin e vendosur me vlerë 3000 lekë i cili shkruan se cilido që shkel dispozitat e pikave të mësipërme të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. Ndërsa mbi këto akte policia thotë se po vepron po sipas ligjit, ku neni 9 cilëson se mjeti nuk mund të vazhdojë udhëtimin, nëse drejtuesi i tij nuk ka marrë masa për të sistemuar ngarkesën sipas mënyrave të përcaktuara nga ky nen.
Për këtë organi që konstaton shkeljen, vepron me tërheqjen e menjëhershme të lejeqarkullimit dhe lejedrejtimit, duke u përkujdesur për çuarjen e mjetit në një vend të përshtatshëm për sistemimin e ngarkesës, për marrjen e dokumenteve bëhet shënimi përkatës në procesverbalin e konstatimit të shkeljes. Dokumentet e sipërpërmendura i rikthehen drejtuesit të mjetit kur ngarkesa është sistemuar në përputhje me normat përkatëse.



