
World Press Photo, organizatë jofitimprurëse holandeze që zhvillon konkursin më të rëndësishëm në botë të fotografisë gazetareske, ka shpallur fituesin për edicionin e këtij viti. “Venezuela Crisis”, e realizuar nga Ronaldo Schemidt, fotografi venezuelian që punon për Agence France Presse, ka marrë vendin e parë.
Në foto shfaqet një djalosh në flakë që largohet me vrap nga protesta e 3 majit 2017 kundër presidentit Maduro, në Karakas.
Djaloshi në foto është José Víctor Salazar Balza. Ai u përfshi në flakë pas shpërthimit të një motoçiklete dhe ia doli të mbijetonte me djegie të gradës së dytë.
“Është një shkrepje klasike, por me energji të madhe dhe dinamikë. Ngjyrat, lëvizja, mënyra se si është kompozuar krejt rastësisht, ka forcë. Më ka dhënë një emocion goditës”, tha Magdalena Herrera, drejtoreshë e fototgrafisë për 'Geo France' dhe anëtare e jurisë që dha çmimin.



