Ditën e djeshme është miratuar ligji për Metrologjinë, i cili ka për qëllim shtimin e kontrolleve ndaj pompave të gazit dhe të naftës, në pikat e karburanteve. Por për gazetarin e ekonomisë, Klodian Tomorri, ende është e paqartë si ka kaluar amendamenti. Sipas tij, për shkak të pandemisë disa nisma ligjore po kalojnë pa shumë vëmendje.
“Dje ka pasur një debat mes ministres Anila Denaj dhe Ilir Beqes si propozues i ligjit. Ministria e Financave ka përsëritur qëndrimin që amendamenti nuk duhet të kalojë. Shtimi i kontrolleve mbi pompat e karburanteve do të sjellë shtimin e kostove mbi qytetarët. Ministria e cilëson këtë të palogjikshme. Tani mbetet për t’u parë cili variant ka kaluar apo do të kalojë, pasi për shkak të pandemisë këto po kalojnë pa shumë vëmendje”, tha ai.
Lidhur me parashikimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për nivelin e borxhit publik në Shqipëri, që pritet të arrijë në 83.2 për qind të PBB, Tomorri tha se edhe niveli aktual përbën kërcënim për ekonominë shqiptare. Sipas Tomorrit, ndryshimet në tregjet financiare apo ndryshimet e normave të interesit mund të bëjnë që borxhi të kthehet në kërcënim për stabilitetin ekonomik të vendit, që do të rëndojë direkt mbi qytetarët.
“Të gjitha vlerësimet që janë bërë nga FMN, BB dhe Ministria e Financave konsiderojnë si nivelin maksimal të borxhit atë 60% të PBB. Ne jemi te 83% që është një borxh shumë i madh për ekonominë dhe përtej niveleve. Mjafton të kujtojmë rastin e Greqisë. I njëjti rrezik është edhe për Shqiërinë sot. Ndoshta jo tani sepse normat e interesit janë të ulëta. Në rast se do të kemi ndryshim në tregjet financiare apo të normave të interesit, borxhi mund të kthehet në kërcënim të madh për stabilitetin ekonomik të vendit. por për qytetarët do të thotë se do të duhet të paguajnë më shumë. Ajo që do të jetë përcaktuese për ecurinë e borxhit dhe rreziqeve që mund t’i sjellë ekonomisë do të jetë rritja ekonomike. Nëse kjo do të vijojë me rënie dhe me rritje të ngadaltë pasi të mabrojë pandemia, atëherë rreziku do të jetë i lartë”, tha ai.
Megjithatë, në kushtet aktuale, sipas Tomorrit, çdo parashikim është i pasigurt.
“FMN që është institucioni me ekspertizën më të mirë në fushën ekonomike thotë se vitin e ardhshëm rritja e pritshme është 5.5%, kundrejt një rënieje 7.5 këtë vit. A është e sigurt kjo? Askush nuk e di. Nëse pandemia përkesqësohet, atëherë as rritja nuk do të materializohet. Situata ekonomike do të jetë shumë më keq nga sa parashikohet. Mendoj që të gjitha politikat ekonomike për të vajtur te pjesa tjetër janë si te ecësh në një territor të pashkelur me sy mbyllur. Ajo që vendet bëjnë për të nxitur ekonomitë, stimuli më i mirë është besimi. Njerëzve duhet t’u rikthehet optimizmi. Duhet të forcohen institucionet dhe të luftohet korrupsioni. Shqipëria nuk ka sot hapësira fiskale për të mbështetur ekonominë. Nuk mund të bëjë as lehtësime në krahun e taksave. E vetmja mënyrë që një qeveri mund t’i japë ekonomisë është rikthimi i besimit dhe forcimi i institucioneve. Boll më me kontrata koncesionare që mbijnë nga hiçi, tendera pa garë. I vetmi stimul në vende si Shqipëria është konkurrenca në treg”, tha ai.



