
Ish-Presidenti i Gjeorgjisë Mikhail Saakashvili ka hyrë në grevë urie pasi shërbimi i burgut gjeorgjian i mohoi mundësinë për të marrë pjesë në seancën e tij gjyqësore me lidhje video.
Kështu deklaroi të mërkurën avokati i tij mbrojtës, Shalva Khachapuridze, cituar nga Tass.
Sot, më është mohuar e drejta më themelore të marr pjesë në gjyqin tim. Është shkelje e të gjitha të drejtave gjeorgjiane dhe ndërkombëtare.
Kështu që më duhet të përdor një formë ekstreme proteste, grevë urie.
Sigurisht, i kuptoj të gjitha rreziqet, duke pasur parasysh gjendjen time shëndetësore, por nuk do të marr ushqim derisa të marr garanci të forta për t’u bashkuar në gjyq, të paktën me lidhje video.
Çdo tallje dhe poshtërim ka një kufi.
Deklarata e Saakashvili u bë me anë të një letre e cila u lexua nga avokati i tij, i cili kishte vizituar ish-Presidentin në klinikë.
Zëdhënësi i shërbimit penitenciar të Gjeorgjisë, Nikoloz Abramishvili tha se Saakashvili duhej të bashkohej në seancën gjyqësore virtualisht të mërkurën, por klinika ku ai po trajtohet nuk kishte mjetet e nevojshme teknike.
Gjykata kishte planifikuar të diskutonte për lirimin e ish-Presidentit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Seanca u shty për 22 dhjetor.
Saakashvili, drejtoi Gjeorgjinë gjatë periudhës 2004-2013. Ai u arrestua në tetor të vitit 2021, pas tetë vitesh që jetoi në Ukrainë, me kthimin në atdhe.
Ish-Presidenti gjeorgjian po mbahet në burg për shpërdorim detyre, ndonëse pretendon se akuzat dhe qëndrimi i tij pas hekurave, bëhet për arsye politike.



