
Të festosh 25-vjetorin e lindjes është një moment i veçantë për këdo.
Por kur vendos ta ndash atë ditë jo në një festë të zakonshme me moshatarë, por në mesin e të moshuarve të një azili, ajo kthehet në një përvojë të paharrueshme dhe me vlerë të veçantë shpirtërore.
Ky ishte vendimi i Sonës, një specialiste logjistike, e cila zgjodhi që ditëlindjen e saj ta festonte me të moshuarit e azilit në Tiranë.
E ftuar në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ajo rrëfeu arsyen që e shtyu drejt kësaj zgjedhjeje ndryshe.
Kisha prej kohësh një dëshirë për të bërë diçka ndryshe për këta njerëz.
Më ka prekur gjithmonë brishtësia e fëmijëve dhe e moshave të treta, ndoshta sepse edhe unë kam humbur tim atë herët. Mendoja gjithmonë: ‘Po sikur im atë të kishte arritur këtë moshë?’.
Edhe pse në fillim kishte menduar të organizonte thjesht një aktivitet për të moshuarit, rasti i ditëlindjes e shtyu ta kthente këtë dëshirë në realitet.
Thashë me vete, kjo është dita! Pse të mos e festoj ndryshe, me ata që shpesh harrohen nga shoqëria?
Edhe pse nuk kisha ndonjë familjar në azil, ndjenja e afërsisë me të moshuarit dhe dëshira për të sjellë gëzim, më shtynë ta bëjë hapin.
Ideja nisi thjesht, e ndava fillimisht vetëm me një shoqe të ngushtë, e cila më mbështeti dhe më qëndroi pranë gjatë gjithë organizimit.
Familjes nuk ia thashë fillimisht, ua tregova vetëm para se të niseshim.
Pasi fola me drejtoreshën dhe psikologen e institucionit, gjithçka u organizua me kujdes.
Ndër momentet më prekëse për të, ishte një urim me shkrim dore nga një 98-vjeçar nga Berati.
E mbaj atë letër në kuletë. Ishte një gjest kaq i vogël, por me peshë të jashtëzakonshme emocionale.
Sona e ndau përvojën e saj me ndjekësit në rrjete sociale përmes një videoje, që shpejt mori vëmendje dhe u bë virale.
Edhe pse në fillim hezitova, nga frika se mos paragjykohej si një veprim për vëmendje apo reklamë, reagimet pozitive më dhanë zemër.
Reagimet ishin të mrekullueshme. Shumica më përkrahën, dhe ato pak komente negative ishin të papërfillshme.
Njerëzit kanë nevojë të shohin më shumë dashuri dhe gjeste njerëzore.
Ky 25-vjetor ishte më shumë sesa një festë, ishte një përqafim i shpirtit, një reflektim i vlerave të jetës, dhe një thirrje e heshtur për më shumë vëmendje ndaj të moshuarve.
Ndoshta nuk do ta festoj çdo vit kështu, por ky ishte viti që do e mbaj mend gjithmonë.



