Dy astronautët i kanë shpëtuar vdekjes pasi anija kozmike pësoi defekt gjatë fluturimit për në stacionin hapësinor ndërkombëtar, duke detyruar ata të bëjnë ulje emergjente edhe pse po lëviznin në një moment me 4,970 milje në orë.
Astronauti amerikan Nick Hague dhe kozmonauti rus Aleksey Ovchinin u detyruan ta ndërpresin misionin e tij, kur raketa Soyuz pësoi defekt në 50 kilometra lartësi.
Dy astronautët nisën uljen emergjente në Tokë, pas një defekti teknik që pësoi raketa “Soyuz”, që u lëshua për në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) paraditen e kësaj të enjteje, rreth orës 10:40.
Anija kozmike “Soyuz MS-10”, e cila gjendej në krye të raketës “Soyuz FG”, menaxhohej nga një ekip prej dy kozmonautësh, e jo 3 siç ishte parashikuar më herët.
Kozmonauti rus Alexey Ovchinin dhe astronauti i NASA-s, Nick Hague, priteshin t’i bashkoheshin ekipit të Ekspeditës 57 në ISS, me komandant Alexander Gerst nga Agjencia Europiane e Hapësirës, inxhinierest së fluturimeve të NASA-s, Serena Aunon-Chancellor, si dhe inxhinierit të fluturimeve të “RosCosmos”, Sergei Prokopyev, për 6 muajt në vijim.
Por, NASA njoftoi shumë shpejt se, për shkak të një “defekti teknik”, ekuipazhi po rikthehet në Tokë me një mënyrë të ngjashme zbritjeje si të një rakete balistike.
Videoja e publikuar më poshtë shfaq momentin kur nga anija kozmike fillon të dalë tym i zi, dhe astronautët që ishin brenda shkunden nga dridhjet e fluturakes që po zbriste me shpejtësi të madhe.
Në ato momente ata po fluturonin në 50 kilometra lartësi mbi Tokën, kurse për të zbritur shëndoshë astronautët përdorën kapsulën me parashutë që ishte dizajnuar qysh në vitet e 60-ta.



