Dy prej aleatëve të vegjël të PD-së flasin kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me sistemin zgjedhor. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, është për sistem të kombinuar mazhoritar plus proporcional.
“S’jam i bindur se kush do na përfaqësojë më mirë. Puna është të përfaqësojë gjithë shqiptarët. Jo për të mbrojtur partitë e vogla. Nëse duhet që partitë e vogla të ikin, le të ikin. Ne duam një sistem që t’i japë drejtim shqiptarëve të votojnë edhe parti alternative. Unë do isha për një sistem të kombinuar mazhoritar plus proporcional. Por, është ende herët për të folur për sistemin”, shprehet Dashamir Shehi për News 24.
Ndërsa Nard Ndoka thotë se duhet një sistem proporcional kombëtar preferencial.
“Do ishte zgjidhja më e mirë në këto kushte. Për faktin se PD dhe PS asnjëherë nuk kanë miratuar një reformë për të vendosur standarde për të respektuar frymën e Kushtetutës dhe votën e qytetarëve, por janë përpjekur përmes mekanizmave të Kodit Zgjedhor të përjashtojnë partitë e tjera politike nga përfaqësimi”, shprehet Nard Ndoka.
Por Shehi dhe Ndoka kanë të njëjtin qëndrim për listat e hapura.
“Jam pro listave të hapura, sepse lista e hapur vendos për meritokracinë”, thekson Shehi .
‘Mbështesim idenë e listave te hapura, padyshim që po. Është kërkesë normale nëse flasim për demokraci , që të ulim rolin e krerëve të partive. Kjo do të jetë një mënyrë që qytetarët të kenë mundësi që brenda listave të partive politike të zgjedhin atë kandidat që preferojnë”, propozon Ndoka.



