Shtrëngohen edhe më masat në lidhje me lëvizjen e qytetarëve me automjet. Urdhri i ri i kryeministrit Edi Rama që nga dita e nesërme prek gjithë administratën. Nëpunësit nuk do të lejohen që të përdorin makinën për të shkuar në zyrë me përjashtim të dy kategorive, punonjësit e ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mbrojtjes, si dhe bashkitë. Titullarët e institucioneve të varësisë, duhet të çojnë sot tek ministri apo kryetari i bashkisë, listën e arsyetuar të punonjësve që e kanë të domosdoshme lëvizjen me makinë. Në rast shkelje të këtyre masave, ndëshkimi është mbajtja e rrogës për tre muaj dhe në rast përsëritjeje largimi përfundimtar nga puna.
Njoftimi:
"Nga nesër, të gjithë punonjësit e ministrive, bashkive e prefekturave, nga sekretarët e përgjithshëm dhe deri tek i fundit, nuk do të përdorin më makinë për të shkuar në zyrë! Nga ky rregull përjashtohen vetëm punonjësit e ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrisë së Mbrojtjes apo të prefektura e bashkive, që janë të përfshirë në listën prioritare me firmën e titullarit, për të garantuar zhvillimin e luftës sipas planit, në aspektin shëndetësor dhe humanitar! Nga nesër, të gjithë punonjësit e tjerë të administratës shtetërore që e kanë punën në zyrë, nuk do të përdorin makinë për të shkuar në punë.”



