Në zonën e Hidrovorit të Akërnisë, pranë Vlorës gjatë disa gërmimeve u zbulua prani gazi. Vendndodhja vetëm pak kilometra nga aeroporti i ri, ka sjellë masa sigurie në terren.
Gazetarja Arjola Hasanaj raportoi për “MCN Live” se prania e gazit u zbulua gjatë shpimeve nga një kompani private, në rreth 70 metër thellësi.
Pas kësaj janë marrë masa sigurie, ku janë vendosur tabela dhe shirita, për mos të lejuar kalimin e qytetarëve në zonë.
Mësohet se konstatimi është bërë rreth dhjetë ditë më parë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet.
Autoritetet kanë ngritur një grup pune për të mbajtur në monitorim situatën, për të shmangur çdo rrezik. Mbetet e paqartë se çfarë projekti po zhvillohej në zonën e Akërnisë.
Specialistë të Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë mbërritur në terren për të verifikuar nga afër situatën dhe për të përcaktuar burimin e saktë të çlirimit të gazit.
Sipas informacioneve paraprake, vetë AKBN nuk ka dhënë asnjë leje për shpime apo ndërhyrje në këtë territor.
Burime pranë institucioneve bëjnë me dije se një nga pistat që po verifikohet lidhet me karakteristikat kënetore të zonës së Akërnisë, ku ndër vite mund të ketë pasur çlirim natyral gazi.



