Deputeti Ben Blushi ka kritikuar Parlamentin për shumë prej ligjeve të votuara gjatë legjislaturës që mbyllet sot. Blushi i cilësoi të dështuara disa prej ligjeve kryesore të votuara nga maxhoranca gjatë 4 viteve të këtij mandati.
“Reforma në drejtësi është pothuajse e dështuar. Reforma territorial e ndau Shqipërinë në 60 feude. Marrin paratë publike, i shpërndajnë, i vjedhin dhe blejnë vota. Pushteti lokal është më keq seç ishte. Keni votuar ju me shpresën se do të bëheshit deputet. Keni votuar ligjin e mbetjeve. Jam i bindur se shumica prej jush do të shkoni kokulur për ligjin e mbetjeve. Shumica e trukuar që do të vijë do të votojë të parin ligjin e mbetjeve. Me ligjin e arsimit, ky Parlament ka lënë të paktën 3 mijë fëmijë pa çuar në shkollë të lartë. Ju votuat që kazinotë duhet të rinovohen. Duhej të dilnin jashtë qyteteve, ju i kthyet mbrapsht. Na e rritët shëndetësinë me 46 %. Aq u rritën kostot sepse 300 milionë euro iu dhanë 5 vetave. Te njësia 4 më dolën dy mjeke dhe më thanë se prisnin rrogën më 1 mars. Për arsimtarët, pedagogët, pesnionistët. Më gjeni dikë që ka marrë rritje rroge më 1 mars. Kë keni gënjyer ju?”, tha ai.
Blushi e mbylli fjalën e tij me një urim për kolegët: Fushatë të mbarë për ata që bëjnë fushatë, suksese në jetë për ata që nuk janë në fushatë!



