Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit për dy deputetët Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami pritet të rrisë numrin e votave të maxhorancës. Pritet që numri i deputetëve që votojnë për maxhorancën të shkojë në 90, ndërsa Partia Demokratike të bjerë në 44, raporton “Panorama”.
Edhe pse fitoi si deputet i PDIU-së në zgjedhjet e 2013, Tahiri, pas kalimit të kësaj partie me maxhorancën qeverisëse, vijoi të qëndronte në koalicionin opozitar, duke u bërë pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Por heqja e mandatit të tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, do të sjellë futjen në Parlament të kandidatit të listës së Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në qarkun e Vlorës. I dyti në këtë listë pas Dashamir Tahirit është Edmond Zejno. Në këtë mënyrë, një deputet i ikën Partisë Demokratike dhe i shtohet PDIU-së, koalicionit qeverisës.
PDIU bëhet me 6 deputetë, PS 60, LSI 20 deputetë, ndërsa për maxhorancën qeverisëse votojnë edhe deputetët Tom Doshi, Armando Prenga, Mirela Ferracaku dhe Mhill Fufi, raporton “Panorama”. Deputeti i LSI-së Shkëlqim Selami, nëse do t’i hiqet mandati, do të zëvendësohet nga Flamur Çelaj ose Katina Gogo të LSI-së, që vijojnë listën e kandidatëve për qarkun e Vlorës për këtë parti.



