Kryetari i Shoqatës "Arta", Ervin Sota, vlerëson se protesta e zhvilluar nuk ka ndikuar në ecurinë e sezonit turistik, duke theksuar se pasiguritë për këtë sezon ishin evidentuar që në muajt e parë të vitit për shkak të faktorëve ndërkombëtarë dhe zhvillimeve ekonomike.
Në MCN Live, Sota u shpreh se situata në tregun turistik është ndikuar më shumë nga psikologjia e krijuar në vendet europiane dhe tensionet gjeopolitike sesa nga zhvillimet e brendshme.
Unë nuk do të thosha që protesta ka ndikuar. Dua të jem koherent me atë që kemi deklaruar që në fillim të vitit, kur kemi thënë se ky do të ishte një sezon jo shumë i qartë. Kjo lidhet me disa veçori. E para është psikologjia e krijuar në Europë, prej nga vjen pjesa më e madhe e turistëve. Po ashtu, situata në Lindjen e Mesme dhe tematika e vazhdueshme e luftës kanë ndikuar në psikologjinë e turistëve, duke sjellë një tkurrje të lëvizjeve. Më pas ishte edhe konflikti me Iranin, që ndikoi në klimën e përgjithshme.
Duke u ndalur te Vlora, Sota tha se pritshmëritë kanë qenë të larta, sidomos për shkak të aeroportit të ri, por sipas tij qyteti është penalizuar nga rënia e aktivitetit në Portin e Vlorës.
Pritshmëritë për Vlorën kanë qenë shumë të larta, deri në Ksamil, madje edhe për shkak të aeroportit të Vlorës. Por ka ndikuar edhe degradimi i Portit të Vlorës. Dikur ai funksiononte me dy tragete dhe ishte një nga portet më aktive. Sot pothuajse nuk ekziston më ai fluks, ndërsa trageti që operon është në nivele minimale. Investimi shumëvjeçar për Vlora Marina ka penguar hyrjen e turistëve nga deti dhe kjo ka pasur ndikimin e vet.
Sota kujtoi se fluksi kryesor turistik në Vlorë historikisht ka qenë nga mesi i korrikut deri në fund të gushtit dhe, megjithëse sezoni është zgjatur disi, ende nuk është arritur shpërndarja e vizitorëve gjatë gjithë verës.
Në vitet 1991-1992 nisi të zhvillohej turizmi i mirëfilltë në Vlorë dhe zemra e sezonit ka qenë gjithmonë periudha nga 15 korriku deri më 25 gusht. Gjatë këtyre 30 viteve kemi bërë përpjekje që ta zgjerojmë këtë periudhë, por edhe sot, sa herë ulemi të diskutojmë, kuptojmë se zemra e sezonit ka mbetur po ajo. Është zgjeruar disi, por jo në ato nivele që të na japë qetësi.
Sipas kreut të Shoqatës "Arta", bizneset turistike po përballen edhe me sfida ekonomike, duke nisur nga zhvlerësimi i euros deri te rritja e kostove të produkteve bazë.
Turistët tashmë paguajnë me euro dhe raporti euro-lek ka ndryshuar ndjeshëm. Dikur euro ishte mbi 110 lekë, ndërsa sot bizneset kanë frikë të marrin pagesa në euro, sepse kursi bie nga dita në ditë. Nga ana tjetër, janë shtrenjtuar ndjeshëm produktet bazë që furnizojnë bizneset e turizmit. Për këtë arsye duhet një kontroll dhe analizë më e madhe nga institucionet, si dhe një ndërhyrje më vendimtare e qeverisë.
Ai shtoi se në Vlorë ekziston një gamë shumë e gjerë çmimesh, duke hedhur poshtë pretendimet se qyteti është i papërballueshëm për turistët.
Vlora ka një efekt 360 gradë sa i përket çmimeve. Mund të vizitosh shtatë ose tetë biznese të ndryshme dhe të gjesh nivele çmimesh nga më të ulëtat deri te më të lartat. Nuk besoj, të paktën nga kontaktet e mia, që një qytetar europian të ketë frikë të vijë për shkak të një proteste paqësore, e cila përkundrazi tregoi qytetari.
Në përfundim, Sota theksoi se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te numri i turistëve, por te cilësia e tyre dhe niveli i konsumit që ata sjellin në ekonomi.
Ne duhet të fokusohemi te sa konsumon një turist, duke rritur cilësinë e shërbimeve dhe duke tërhequr kategori turistësh me fuqi më të madhe shpenzuese. Unë vazhdoj të jem partizan që brigjet e bregdetit të zhvillohen me një raport 50 me 50, në mënyrë që të ruhet balanca mes zhvillimit dhe interesit publik.



