
Një person ka humbur jetën dhe 14 të tjerë janë plagosur si pasojë e daljes së një autobusi nga rruga në Itali, duke bërë që në aksident të përfshihen 5 makina.
Aksidenti i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në autostradën A16 Napoli-Canosa në Itali, pranë komunës Vallesaccarda, ku autobusi me 38 pasagjerë në bord, përfundoi në një skarpat.
Pasi kaloi një kthesë autobusi u përball me dy makina që ishin të ndaluara për shkak të një përplasjeje nga ana e pasme e tyre. Shoferi i autobusit devijoi majtas për të shmangur goditjen, por doli nga rruga.
Tre makina që ndiqnin autobusin, nga ana tjetër, përfunduan të përplasura kundër makinave që ishin aksidentuar më herët dhe njëri nga shoferët e përfshirë në aksident humbi jetën.
Mediat italiane raportojnë se 3 nga 14 të plagosurit u dërguan në Ariano Irpino në gjendje të rëndë. Lidhur me rrethanat e ngjarjes hetimet janë në vijim, për të zbardhur dinamikën e plotë të aksidentit.



