Gjatë bashkëbisedimit live me publikun ditën e djeshme, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu, e përfshiu edhe ish-deputetin socialist Koço Kokëdhima në mesin e atyre që ai i quajti “politikanë kriminelë dhe të korruptuar”.
Duke komentuar atë që e konsideron si “përparim të pabesueshëm në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri”, Lu numëroi emrat e disa politikanëve të larguar nga Parlamenti dhe funksionet publike.
“I kemi dhënë lamtumirën një numri politikanësh kriminelë dhe të korruptuar – mes tyre, më vijnë në mend Xhelili, Frroku, Muhameti, Petraj, Ndoka dhe Kokëdhima. Kemi edhe nja dy që po përballen me akuza penale – Prenga dhe Rroshi – por teksa flasim janë në gjyq”, - tha ambasadori amerikan.
“Mendoj që ky është përparim i jashtëzakonshëm, jo vetëm në legjislacion por edhe i kulturës. Populli shqiptar është i lodhur nga këta zyrtarë të korruptuar dhe do që të shohë ndryshim”, u shpreh Lu.



