
Arti në zi! Ndahet nga jeta Ganimet Vendresha, solistja e parë e trupës së baletit shqiptar. Mësohet se Vendresha u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e saj. Mbesa, Ajola Xoxa përmes një postimi në Facebook bën me dije se Vendresha është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme.
Gjyshja ime e mirë, Ganimet Vendresha, u nda nga jeta mbrëmë, e qetë dhe në paqe, siç e jetoi të gjithë jetën e saj, rrethuar nga njerëzit e dashur, duke lënë pas tek kushdo kujtimin e njeriu të bukur brenda dhe jashtë, dhe tek në një dhimbje pambarim. Ajo i dha aq shumë Shqipërisë së saj dhe kujtdo pati fatin ta kishte në jetën e vet.
Vendresha ishte themeluese e shkollës së Koreografisë, ku ishte dhe pedagoge, ndërkohë që kishte titullin ‘Artiste e merituar’.
Homazhet do të kryhen nesër, 30 shtator, nga ora 10:00 deri në 12:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe varrimi ne oren 13:00 ne varrezat e Tufinës.



