
Ministria e Bujqësisë ka bërë me dije se sot nuk është konfirmuar asnjë rast i ri me gripin e shpendëve. Ministria thekson se u ka kërkuar bashkive që të ndalojnë tregtimin e shpendëve në mjediset e pamiratuara.
AKVMB vazhdon monitorimin e situatës me veterinerët zyrtarë të shërbimit me kontrolle në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Nuk ka vatra të tjera të raportuara apo dyshuara nga kontrollet e kryera për monitorim.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika.
U kemi kërkuar bashkive bashkëpunim të plotë në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pamiratuara për shitje në zbatim të urdhrit Nr.131, datë 25.3.2022 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”.
Në 24 orët e fundit
• Nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmruar
• Nuk kemi vatra të reja infeksioni
• Nuk kemi asnjë stabiliment me drejtim prodhim për mish të infektuar
• Vazhdon monitorimi i vazhdueshëm në Organizatën Botërore të Shëndetit të Kafshëve mbi situatën epidemiologjike të shfaqjes së influencës aviare me qëllim marrjen e masave kufizuese për importin në vend.
• Vazhdon procesi për fuqizimin e flotës së veterinerëve zyrtarë
• Jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjithë territorit
• Vazhdojmë fushatën sensibilizuese për informimin e fermerëve mbi evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara.
Gjithashtu sigurojmë konsumatorin se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të sigurta. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius siç është edhe procedura normale e gatimit.



