
Në emisionin "Te Paekspozuarit" në MCN, gazetari Mero Baze ka komentuar mbi sfidat dhe keqkuptimet që shoqëruan ardhjen e një kryepeshkopi ortodoks grek në Shqipëri, duke theksuar se vendi ishte pothuajse ateist dhe se shumica e popullsisë, duke qenë jo ortodokse, kishte dyshime të mëdha për qëllimet e tij.
Baze gjithashtu ka shpjeguar se lëvizja për themelimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri ishte më shumë një akt patriotik sesa një angazhim për fenë, duke theksuar se figura e Fan Nolit, që hodhi themelet e kishës, kishte një dimension të fortë politik.
Kur ai erdhi në Shqipëri, gjeti një vend pothuajse ateist, dhe kjo ishte një keqkuptim i madh. Ai u përball me një shërbëtor të rëndësishëm të fesë ortodokse në një komunitet që jetonte në një vend ateist, duke qenë një pakicë. Ky ishte një problem i madh, sepse origjina etnike e kryepeshkopit ishte greke dhe ne, si shoqëri që kishte dalë nga një vend izolacionist, jetonim të rrethuar nga armiqtë, veçanërisht fqinjët, të cilët i shikonim si armiq që do të na pushtonin, do të na merrnin ose do të na vrisnin.
Kjo shkaktonte një reagim të madh tek shumica e popullsisë, që ishte jo ortodokse, duke krijuar dyshime të mëdha për qëllimet e tij, sidomos kur pjesa tjetër e shoqërisë e gjykonte pse ishte grek dhe pse kishte ardhur në Shqipëri. Edhe ne ishim pjesë e këtij mentaliteti, por pa qenë agresivë.
Gjithmonë ngrihej miti i Fan Nolit, i cili ka bërë shërbime të mëdha për kombin dhe hodhi themelet e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Megjithatë, ai nuk kishte asnjë kryepeshkop aq serioz, sepse nëse do të ishte, nuk do të ishte larguar nga ky post. Ai u bë kryeministër dhe u mor me politikë, duke treguar qartë se lëvizja për themelimin e kishës kishte më shumë një karakter patriotik se sa një shërbim të vërtetë për fenë ortodokse.
Nëse jemi të sinqertë, dimensionet e lëvizjes së Nolit ishin të mëdha, por ai nuk mund ta mbante dot rolin e priftit, pasi ai ishte një njeri që i ishte përkushtuar jetës si kryepeshkop i ortodoksëve. Kështu që të gjitha keqkuptimet ishin të natyrshme në këtë situatë.



