
Nga sot e deri më 8 shkurt, mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9 shkurt.
Ndërsa më 8 shkurt, ata do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike të Kosovës në 22 vende të botës.

Mënyra e votimit të tyre varet nga ajo se si ata kanë zgjedhur të votojnë kur janë regjistruar si votues.
Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Pra, 67.421 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, kurse 17.104 do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Mërgimtarët kosovarë kanë mundësi të votojnë fizikisht më 8 shkurt në përfaqësi diplomatike dhe konsullore në vendet ku jetojnë.
Vendvotimet në përfaqësi diplomatike dhe konsullore do të jenë të hapur prej orës 07:00 deri në ora 19:00, sipas kohës lokale në vendet përkatëse.
Të drejtë vote kanë të gjitha ata që posedojnë dokumentet identifikues të lëshuara nga Kosova, si letërnjoftim, pasaportë ose lejen e vozitjes dhe që është regjistruar paraprakisht për votim.
Në rast se dokumenti identifikues i lëshuar nga shteti i Kosovës është me afat të skaduar, atyre u kërkohet ta paraqesin edhe një dokument identifikues të vlefshëm të shtetit ku jetojnë, sipas KQZ-së.
Fushata zgjedhore do të nisë të shtunën, më 11 janar dhe për një muaj, partitë dhe kandidatët do të tentojnë t’i bindin votuesit që t’i zgjedhin ata. Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.



