Grupi negociator që po punon për reformën zgjedhore ka më në fund një draft, i cili ka dakordësinë e të dy palëve. Drafti do të diskutohet fillimisht në Komisionin e Ligjeve, pasditen e sotme.

Ndryshimet në ligjin zgjedhor prekin në mënyrë të veçantë votën e diasporës dhe listat e kandidatëve për deputet. Lidhur me këtë të fundit është rënë dakord për formulën 1/3 e fiksuar dhe 2/3 e listës në garë kush merr më shumë vota.

Neni 67 i Kodit të ri parashikon që çdo subjekt politik, jo më vonë se 50 ditë para zgjedhjeve të depozitojë në KQZ dy lista: a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Sipas formulës, numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjestuar për tre.

Kandidati për deputet, i regjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Ndërkohë, në lidhje me votën e diasporës, drafti parashikon hartimin e një liste të veçantë të të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve dhe duan të ushtrojnë të drejtën e votës.

Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit dhe që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.

Regjistrimi i zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së këtyre zgjedhësve fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para kësaj date. Hapja e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë terrritorit të Republikës së Shqipëirsë njoftohet publikisht nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet.

Lista paraprake e votuesve jashtë vendit publikohet 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe atyre votuesve që konstatojnë mungesën e emrit apo parregullsi të tjera u jepen 48 orë kohë për korrigjimet e nevojshme.

Lista përfundimtare e emigrantëve me të drejtë vote është e veçantë nga lista e zgjedhësve brenda vendit, e cila rishikohet në mënyrë që të mos ketë emra që rezultojnë në të dyja listat.

Votimi i emigrantëve bëhet nëpërmjet postës. Shërbimi postar dërgon në adresën e deklaruar të secilit votues fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ. Pasi plotësohet, fleta e votimit, e cila është e njëjtë me atë ku shprehin vullnetin zgjedhësit brenda vendit, dërgohet sërish me postë në adresën zyrtarë të KQZ-së, ku do të numërohen.

Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara numërohen në ambientet e KQZ. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ rregjistrohen ne një rregjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria. Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëtin moment që fillon numerimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse dhe vlerësimi i tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. Rregullatori përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezulatit zgjedhor sipas këtij neni.”