
Kryeministri Edi Rama nga Rinasi, së bashku me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu si dhe atë të Rindërtimit Arben Ahmetaj, ka folur për vaksinat e koronavirusit të cilët duhet të kishin mbërritur për të kapur afatet e dozës së dytë.
Rama ka deklaruar se sonte kanë mbërritur 1170 doza të tjera nga Pfizer: "Pfizer lëvron dozat e para që janë 1170 doza. Ndërkohë zotimi i marrë nga Pfizer është se brenda muajit, nuk po jap data se u bë histori ndryshimesh do të vijnë dhe dozat e angazhuara, qoftë 10700 apo të 30 mijë të tjera".
Më tej kryeministri nuk i kurseu kritikat për COVAX dhe Europën: “Ne kemi filluar vaksinimin me doza që kanë ardhur dhuratë nga një vend mik i BE-së, emrin e të cilit ende nuk mund t’ua komunikojë, ndërkohë që kemi kontratën e drejtpërdrejtë me Pfixer, ne Shqipëria dhe përveç nesh dhe Serbia, vendet e tjera sic po e ndiqni janë ende në një situatë pritshmërie në kushtet kur vaksina po komplikohet gjithnjë e më shumë dhe kur për këtë çështje Europa ka hyrë në një kaos, me jo vetëm BE, por edhe vende të tjera të mëdha që kërcënojnë me ndjekje në rrugë ligjore.
I them për të mos harruar që sidoqoftë ne jemi në kushtet kur procesi i vaksinimit e kemi garantuar dhe do ta vazhdojmë falë faktit që nuk e lamë veten në dorë të të tjerëve, nuk pritëm COVAX, është ende në një proces që nuk duket se ku e ka fillimin. Jemi në kontakt, të vazhdueshëm, por edhe ata nuk janë të qartë dhe nuk japin një sinjal qartësi.”



